Ismet Rashiti

U lind në fshatin Sllatina e Poshtme të Vitisë. Shkollën fillore e ka mbaruar në fshatin e lindjes. Dy vitet e para të gjimnazit i ka kryer në Viti, ndërsa dy të funfit në Ferizaj. Ka mbaruar Fakultetin Filologjik-Dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. Gjatë kohës sa ishte student në Universitetin e Prishtinës ka qenë bashkëpunëtor i rregullt i Radio Prishtinës. Në vitin 1981 për shkaqe te bindjeve të tij politike detyrohet të arratiset dhe të kërkojë azil politik në Zvicër, ku jeton edhe sot në qytetin Biel/Bienne.

Gjatë kohës që ka qëndruar në Zvicër, krahas veprimtarive organizative politike është marrë me shkrime. Fillimisht ka botuar në revistën ilegale « Liria « dhe më pas në « Zëri i Kosovës », në të cilën për një kohë të gjatë ka qenë edhe redaktor i faqës së mërgimtarëve. Ismet Rashiti është reporteri i parë nga diaspora në Radio Tirana, emisioni për bashkatdhetarët, ndërsa më vonë për disa vite rresht ka punuar për Redaksinë e Kosovës në RTSH. Pas çlirimit ka punuar korrespondent i RTK për Zvicër. Një kohë të shkurtër ka punuar edhe korrespondent i të përditshmes «Zëri i ditës». Përveç artikujve problemor dhe komenteve, Ismet Rashiti ka shkruar dramën «Toka e përgjakur» si dhe shumë poezi një pjesë e madhe prej të cilave janë botuar në faqet e gazetave të përditshme në Prishtinë.

Si autor i shume krijimeve letrare pjesën më të madhe të krijimtarisë së tij ia ka kushtuar luftëtarëve të lirisë. Njihet edhe si njohës i mirë i mërgatës shqiptare në Zvicër, ku edhe e ka gjetur frymëzimin për të shkruar. Poezia e Ismet Rashitit në përgjithësi përshkohet nga ndjenja e lartë e atdhedashurisë. Ajo është poezi e përjetimit të thellë shpirtëror dhe e përkushtimit për figurat e mëdha kombëtare dhe çlirimtarët e Kosovës.