Dëshmorët e pranverës shqiptare


Vetëm dy kilometra larg rrugës kryesore Ferizaj-Gjilan, në një rrafshinë të gjerë që mbaron në brigjet e Moravës, shtrihet fshati Sllatinë i komunës së Vitisë. Në këtë fshat lindi Sherif Frangu, më 1 janar 1962. Prindërve, Bislim Frangu dhe Alldyze Beqiri nga Zhitia e Vitisë, u lindën gjashtë fëmijë. Sherifi ishte fëmija i tretë me radhë, nga gjashtë vëllezërit dhe motrat: Xhymshiti, Lumnija, Mirvetja, Merxhani dhe Zejnepja.
Qysh në moshën e fëmijërisë u dallua për guxim, mençuri, përpikmëri, zell në punë, disiplinë dhe shpirt sakrifice. Shkollën fillore “Liria” e mbaroi në fshatin e lindjes, si nxënës i dalluar. Shkollimin e mesëm e filloi në Viti, kurse e vazhdoi në Ferizaj. Në vitin 1981 ishte nxënës i dalluar i klasës së katërt. Ndonëse Sherifit nuk i kishin mbetur më tepër se dy muaj kur do t’i gëzonte prindërit me diplomën e shkollës së kryer, ai ishte përcaktuar me kohë që të merrte një diplomë tjetër që ia jep populli: Diplomën e Dëshmorit të Kombit.
Terrorin dhe vrasjet e soldateskës serbe në Prishtinë, më 11 dhe më 26 mars, e sidomos më 1 dhe 2 prill të vitit 1981, Sherifi i ri i përjetoi rëndë. Andaj, në demonstratat e 3 prillit, që u mbajtën edhe në Viti, Sherifi u dallua në kacafytjet me policinë jugosllave dhe në brohoritjen e kërkesës “Republikë, Kushtetutë - ja me hatër, ja me luftë!”. Pas përfundimit të demonstratave në Viti, Sherifi, së bashku edhe me shumë shokë të tjerë, iu bashkua demonstruesve në qytetin e Ferizajt, i cili tashmë ishte nën kontrollin e plotë të popullatës kryengri-tëse të Ferizajt me rrethinë.
 
Sherif Frangu ia rrëmbeu automatikun policit serb!
 
Si edhe të gjitha qytetet e Kosovës, Ferizaj, më 3 prill 1981, ishte i mbushur me policë, me gaz lotsjellës, me tanke dhe me autoblinda serbo-jugosllave, për ta shuar kryengritjen shqiptare me zjarr e hekur. Por, ishte rinia jonë e shkëlqyeshme ajo që nuk nënshtrohej. Ishte rinia jonë ajo, që e prirë edhe nga maturanti sypatrembur, Sherif Frangu, dhe punëtori i guximshëm, Rizah Matoshi, nuk dorëzohej.
Rreth orës 16, të 3 prillit, kur kishin vërshuar mijëra policë të njësive speciale të ardhur gjithandej nga Jugosllavia, e sidomos nga Serbia, kur kishte filluar policia vrastare e pushtuesit të shtinte me armë automatike në demonstruesit duarthatë, Sherif Frangu, duke i parë të gjitha këto nga afër, duke u kapur fytafyt, ia rrëmbyer automatikun policit serb, duke thirrur: “Përpara-aaa!!!”. Në ato rrethana, kur në duart e demon-struesve shqiptarë po kalonin armët e policisë vrastare, Sherifi goditet për vdekje me breshëri automatiku nga policët e tjerë serbë. Edha pasi Sherif Frangu bie i plagosur për vdekje, policët e egërsuar vazhdojnë ta godasin me kondak të pushkëve dhe me shqelma! Duke e lënë të vdekur nxënësin 19-vjeçar, Sherif Frangu, i cili e shtoi numrin e dëshmorëve të demonstratave në Kosovë në gjashtë, policët serbë, të etur për gjak shqiptari, vazhduan si të tërbuar pas demonstruesve të tjerë. Shokët e Sherifit, të cilët po përpiqeshin t’ia jepnin ndihmën e parë dhe ta çonin në spital, tregojnë se ai, me forcën e fundit, bëri përpjekje të ngrihej në këmbë, duke e shtrënguar grushtin e përgjakur, nga gjaku që ia kishte kapluar trupin e njomë. Sikur deshi të thoshte edhe diçka! Shokët e vendosën në një autoambulancë dhe u drejtuan për në Qendrën Spitalore në Prishtinë. Por, fatkeqësisht, Sherifi, në dalje të qytetit të Ferizajt, vdiq nga plagët e shumta të policisë kriminale serbe.
Sherifi ra në fushën e nderit për të mos vdekur kurrë. Ai jeton në kujtesën dhe në zemrat e popullit të tij që e lindi, e populli jeton përmes veprës dhe shembullit të tij duke e pasur frymëzim të përjetshëm.
Si edhe në të gjitha qytetet e Kosovës, ku u zhvilluan demonstrata masive më 1, 2 dhe 3 prill 1981, edhe në Ferizaj pati shumë demonstrues të lënduar dhe të plagosur me armë zjarri, ndër ta edhe: Elmaz Kishnapola (68 vjeç) nga Gjilani; Fadil Lubishtani (22 vjeç); Milazim Mejdi Ymeri (20 vjeç) nga Sllatina; Sylë Faik Muharremi, nga Katundi i Vjetër; Vehbi Azizi, nga Komogllava; Salih Ferizaj, e shumë të tjerë.
Lajmi për vrasjen e Sherif Frangut u përhap në gjitha anët. Posaçërisht vinin të rinjtë që kishin marrë pjesë në demonstratat e Vitisë, të Kaçanikut dhe të Ferizajt. Pushtuesi serb vazhdonte lojën e moçme, që të luante edhe me trupat e vrarë të shqiptarëve. Kështu, vetëm pas dy ditësh, familja e dëshmorit Sherif Frangu arrijnë të marrë trupin e pajetë të tij, në mesin e trupave të dëshmorëve të tjerë që ishin vrarë më 2 dhe 3 prill në shumë qytete të Kosovës.
 
Nëna e dëshmorit: “Hallall të qoftë gjini, biri im!”
 
Në UDB-në serbo-jugosllave vepronin edhe shumë shqipfolës. Por, kur babë Bislimi kishte shkuar në UDB-në e Ferizajt të interesohej se ku ishte trupi i pajetë i të birit, komandanti i postëkomandës, një serb shovinist, duke ia vënë revolen në fyt, e kishte kërcënuar, duke i thënë: “Ju jeni armik, derisa e keni lejuar djalin të dalë në demonstrata!”. Babai i dëshmorit, duke e hapur kraharorin, ia kishte kthyer çetnikut të uniformuar të policisë së pushtuesit: “Gjuaj, gjuaj, se nuk më trembni, se unë erdha ta marr kufomën e birit tim që ju ma vratë, e jo të marr edhe kërcënimet tuaja! Ju jeni ata që më 1945 ma keni vrarë babanë, tani ma vratë edhe djalin! Më vritni edhe mua! Por, ta dini se kemi edhe shumë djem të tjerë mbrapa. Plumbat tuaj vetëm do të na forcojnë!”. Ndërsa, për të bërë presion dhe për të krijuar trishtim edhe më të madh, UDB-ashët serbë pas ca ditësh ia dërguan prindërve të dëshmorit pallton e ulur në gjak të birit të tyre të shtrenjtë, duke i kërcënuar: “Ruani fëmijët më mirë!”. Nënë Alldyzja, deri sa po e merrte pallton e përgjakur të të birit, arriti ta bënte zemrën gur dhe të thoshte para UDB-ashëve: “Hallall të qoftë gjini, o Sherifi i nënës, që u flijove për Kosovën!”.
Në ditën e varrimit të dëshmorit Sherif Frangu, më 5 prill 1981, ishin tubuar mbi 5.000 burra, gra, të rinj e fëmijë. Ishte tubuar i gjithë fshati Sllatinë, i madh e i vogël, por edhe shumë fshatarë e qytetarë nga fshatrat dhe nga qytetet e afërme. Nga plumbat e shumtë dhe nga goditjet e kondakëve të pushkëve të policisë vrastare serbe, mezi që e njihnin trupin e pajetë të dëshmorit! Ndonëse donin të përmbaheshin pa derdhur lot, ashtu siç kishte thënë shpesh herë Sherifi, “Me lot e vaje nuk bëhet asgjë”, vetvetiu lotët pikonin mbi trupin e dëshmorit të lirisë. Do të mbetet në kujtesë për kohë të gjatë qëndrimi i nënë Alldyzes, e cila e bëri zemrën gur dhe, duke i ngushëlluar familjarët e vet dhe, sidomos, shokët e Sherifit të saj, me të cilët kishte qenë shok shkolle dhe pjesëmarrës në demonstratat e 2 dhe 3 prillit në Viti dhe në Ferizaj, tha: “Sherifi na e zbardhi fytyrën, na nderoi të gjithëve dhe vdiq si i ka hije luftëtarëve për lirinë e Kosovës! Lumja unë për djalin tim!”.
 
Dënime drakoniane për organizatorët e demonstratave në Ferizaj
 
Përveç rënies së dëshmorëve Rizah Matoshi dhe Sherif Frangu, në demonstratat e 3 prillit të vitit 1981 në Ferizaj, dhe plagosjes së mbi 20 demonstruesve, pas demonstratave filloi fushata e arrestimeve masive të organizatorëve të tyre. Kështu, në grupin e parë, u dënuan: Nexhat Tërstena - 10 vjet burg; Naim Ramadani - 8 vjet; Isuf Lipovica - 8 vjet; Hilmi Hyseni - 10 vjet; dhe, Ilaz Hysa - 3 vjet. Në grupin e dytë, u dënuan: Rifat Avdiu - 9 vjet burg të rëndë; Abdullah Loha - 14 vjet; Milaim Jashari - 7 vjet; Hajrullah Hasani - 8 vjet; Hazir Haziri - 5 vjet; Remzije Jashari - 2 vjet; Rashit Mehmeti - 8 vjet; dhe, Lulzim Haxhimusa - 3 vjet. Ndërsa, në grupin e tretë, u dënuan: Sadik Sadiku - 7 vjet; Zylfi Ratkoceri - 6 vjet; Sadik Balaj - 5 vjet; dhe, Jashar Istrefi - 1 vit.
Me rënien e Sherif Frangut, neve na u shtua edhe një plagë më shumë, kurse historisë edhe një dëshmor, për të cilin populli do të këndojë:
“Kjo Kosovë ka dhënë shumë trima,
Si Sherif Frangun nga Sllatina”.
Gjatë marsit dhe prillit të vitit 1981 ndodhi demonstrimi i hapur dhe plebishitar i vullnetit politik të shqiptarëve. Ndodhi kryengritja paqësore e shqiptarëve, në njërën anë, dhe demonstrimi i forcës shtypëse të armës së shovinizmit serb, si shfaqjes botërisht të planeve serbe për ta rrënuar edhe atë autonomi sakate të Kosovës, nga ana tjetër. Demonstratat paqësore u shtypën me gjak, sepse Serbia shkoi përtej karakterit të demonstratës, në fakt ajo hyri në luftë me një popull duarthatë. Shtypja me gjak e kryengritjes së vitit 1981 qe, njëkohësisht, fillimi i luftës së pandërprerë dhe finale të popullit shqiptar të Kosovës drejt fitores së sigurt.
Pllaka përkujtimore për dëshmorin Sherif Frangu u zbulua në Ferizaj, në 20-vjetorin e rënies së tij, më 3 prill 2001. Zbulimin e pllakës përkujtimore e bënë: Lumni Salihu, Milaim Jashari, Sadik Sadiku, Rashit Mehmeti, Nexhat Tërstena dhe Naim Ramadani, të burgosur politikë dhe ndër organizatorët e demonstratave të vitit 1981.